Si çdo sezon, Real Madrid duhet të luajë një numër tepër të madh ndeshjesh, për shkak të pjesëmarrjes në Champions League dhe Copa del Rey, përveç LaLiga.
Sezoni aktual ka nisur mbarë, me 4 fitore e 1 barazim në 5 ndeshje, me 14 gola të shënuar e 6 të pësuar. Sulmi është reparti më i mirë, me thuajse 3 gola për ndeshje, ndërsa mbrojtja ka hapësirë për përmirësim, sepse edhe ndaj Interit protagonist ishte Courtois me pritjet e tij.
Carlo Ancelotti vijon punën për të gjetur ekuilibrat dhe duket se në mesfushë do të ketë më shumë probleme.
Në mbrojtje Carvajal, Militao e Alaba janë titullarë, ndërsa në të majtë mbetet garë e hapur, edhe pse Mendy është i preferuari.
Në sulm Vinicius e Benzema janë bërë shumë të rëndësishëm, ndërsa për vendin tjetër luftojnë Bale, Hazard, Rodrygo e nëse nevojitet, edhe Lucas Vázquez.
Problemet janë në mesfushë, ku Ancelotti duhet të bëjë zgjedhje mes një grup shumë të madh lojtarësh. Modric, Kross, Casemiro, Camavinga, Isco, Valverde, Ceballos e Asensio kërkojnë minuta dhe në lojë janë vetëm 3 vende.
Kroos e Ceballos janë të dëmtuar për momentin, ndaj problemi është ende jo i madh, por kur të gjithë të jenë të gatshëm, Ancelotti do të ketë jo pak dilema. Modric-Kroos-Casemiro është treshja e artë, Valverde ka treguar nivel të lartë loje, ndërsa Camavinga është blerja e madhe e verës dhe në pak minuta që ka luajtur, ka qenë vendimtar, me 1 gol e 1 asist.
Isco ishte më i lumturi kur iku Zidane, por edhe Ancelottin ka luajtur pak, 127 minuta në 3 ndeshje. Asensio duket qartë që është në planet e Ancelottit, por deri tani vetëm si rezervë, kryesisht në të djathtë të sulmit. Ndërkaq, Ceballos është objekt misterioz, edhe pse Ancelotti e mbajti në ekip, duke lënë klubin të shiste Odegard.