Verën që lamë pas Real Madridi humbi dy yje si Sergio Ramos e Varane, me kapitenin që u largua falas për te PSG. Megjithatë, verën e ardhshme gjithçka mund të rrotullohet në favor të Los Blancos, sepse Kylian Mbappe është tashmë i prenotuar, por ka edhe lajme të reja që kanë tronditur tregun.
Agjenti famëkeq Mino Raiola, i cili përfaqëson disa prej lojtarëve më të rëndësishëm në futbollin botëror dhe në verë çoi Donnarumma falas tek PSG, tashmë po planifikon lëvizje të bujshme që padyshim përfshijnë edhe Realin.
E para lidhet me Paul Pogba, i cili është në vitin e fundit të kontratës me Manchester United. Raiola, duke folur për RAI, ka shpjeguar: “Pogba verën e ardhshme do jetë i lirë. Do bisedojmë me Manchester United, por kemi shumë opsione në tryezë”. Natyrisht, Reali është i interesuar dhe realisht tashmë është në avantazh, sepse Juventus nuk ka më fuqi financiare për një operacion të tillë, me kosto të frikshme mes pagës e komisioneve.
Ndërkaq, Raiola ka habitur me deklaratën e tij në lidhje me Mathijs de Ligt: “Sezonin e ardhshëm tek Juve mund të transferohet falas Romagnoli, por nuk është e sigurt që do luajë me De Ligt. Ka mundësi që ky i fundit të largohet nga Juve verën e ardhshme”.
Natyrisht, lajm i bujshëm, që mobilizon Realin, pasi duhet gjetur një mbrojtës i nivelit të lartë, por edhe PSG është në garë dhe pritet duel i frikshëm milionash.