Zinedine Zidane e ka pranuar gjithnjë se mësuesi i tij më i mirë ka qenë Carlo Ancelotti, me të cilin ka punuar në sezonin 2013-14, kur po fillonte rrugën e trajnimit. Prej 2016, kur mori drejtimin e Real Madridit, Zidane tregoi se ka qenë një nxënës perfekt, duke arritur suksese të jashtëzakonshme dhe duke u bërë ndër trajnerët më të mirë në planet.
Tani Reali ka rikthyer në stol Ancelottin, prej të cilit pritet po aq shumë sa nga Zidane, por Ancelotti në rreth 2 muaj ka treguar është i ngjashëm, por jo njësoj me Zidane, aq sa ka edhe ndryshime të mëdha mes tyre, që Marca i ka radhitur si më poshtë.
Basti Vinicius
Vinicius Junior ka qenë pjesë e ekipit me Zidane dhe luante shpesh, por nuk arriti asnjëherë të gjente vendin e vet në ekip dhe kishte edhe mungesë vetëbesimi. Me Ancelottin gjërat kanë ndryshuar, Vinicius ka një marrëdhënie shumë të mirë me Ancelottin dhe rezultatet po duken në fushë, me brazilianin që jep gjithnjë e më shumë sinjale të një lojtari me të ardhme të madhe.
Zidane, më solid në mbrojtje
Edhe pse nuk fitoi trofe sezonin e fundit, Zidane arriti rezultate të shkëlqyera dhe në periudhën mars-maj humbi vetëm një ndeshje, ndaj Chelsea në Londër. Edhe Ancelotti e ka nisur shumë mirë, por stili mes dy trajnerëve ndryshon. Zidane përqendrohej shumë tek mbrojtja, linjat qëndronin shumë pranë njëra-tjetrës dhe falë zotërimit të topit evitohej pësimi i golave.
Në të kundërt, Ancelotti preferon më pak zotërim topi, më shumë vrap dhe më shumë beteja në fushë, duke kërkuar gola sa më shumë, edhe pse duke rrezikuar në mbrojtje, një lloj futbolli që i zbavit shumë tifozët.
Është rikthyer Pintus
Zinedine Zidane zbuloi Antonio Pintus si trajner atletik, por marrëdheniet mes tyre u përkeqësuan me kalimin e kohës, derisa u ndanë. Tani Ancelotti e ka rikthyer Pintus, duke e kërkuar personalisht në staf. Fizikisht Reali duket shumë mirë, edhe pse dëmtime ka ende.
Shumë të rinj, pak “gardë e vjetër”
Edhe pse Zidane mbetet idhull, tek Reali nuk e kuptonin sjelljen e tij me lojtarët e rinj, që gjenin pak hapësirë, nuk merrnin lëvdata prej trajnerit dhe e kishin të qartë se nuk vinin para lojtarëve veteranë kur bëhej formacioni. Ancelotti, në të kundërt, po u jep besim të rinjve, duke u dhënë mesazh emrave si Marcelo e Hazard se duhet të vuajnë për të luajtur titullarë.
Çështja Bale
Zidane e kishte bërë të qartë kur u kthye: Nuk e donte Gareth Bale në ekip. Ancelotti e gjeti aty uellsianin dhe tashmë po mundohet ta rikthejë në nivel të lartë. Nëse Zidane nuk e konsideronte fare pjesë të ekipit, Ancelotti beson ende tek Bale dhe do ta presë, me durim, sa të rikthehet në formë të mirë fizike.