Real Madridi po përjeton një situatë shumë delikate e cila po ndikon kryesisht në figurën e Zinedine Zidane. Humbja e mbrëmshme ndaj Shakhtarit, e 5-ta në vetëm 16-të ndeshje e ka lënë trajnerin në një situatë delikate. Statistikat e Zidane janë më të mira se paraardhësit e tij në stolin Madrilen por nëse situata nuk përmirësohet, as Zidane nuk është i sigurtë.
Sipas Marcas klubi nuk do të donte të shkonte në ekstremin me shkarkimin e Zidane pasi janë të vetëdijshëm se menaxhimi i shkarkimit të një figure të dashur Madrilen nuk është një detyrë e lehtë, por është një skenar që nuk përjashtohet më dhe kjo është arsyeja pse 2 emra përfliten se mund t’a zëvëndësojne atë nëse vendosin për largimin e tij: Mauricio Pochettino që është kandidati kryesor dhe pak në distancë Raul Gonzales, trajneri aktual i RM Castillas.
Real Madridi konsideron se Pochettino është ideali, deri në pikën që ata nuk kanë parë më shumë trajnerë të lirë në treg. Ai ishte gati të vinte si zëvëndësues i Rafa Benitez por klauzola e kontratës së tij me Tottenham dhe presidenti i klubit Anglez e bën të pamundur nënshkrimin me të. Trajneri Argjentinas asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të drejtuar Madrilenët dhe është i gatshëm për drejtimin e tyre.
Nëse nuk arrihet marrëveshja me Pochettino (në rast shkarkimit të Zidane), atëherë zgjidhja e dytë është Raul Gonzales i cili aktualisht është trajner i akademise së klubit, Real Madrid Castillas. Emri i tij është më në distancë për arsye se klubi dëshiron një trajner me eksperiencë më të madhe në Europë.