Marco Asensio ka zbuluar që gjatë rikuperimit të tij nga dëmtimi në gju, ai ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në futboll.
Anësori i Real Madridit mungoi në shumicën e sezonit 2019/20 për shkak të një thyerje ligamenti në gjurin e majtë, por arriti të rikthehet në fundin e sezonit të kaluar për shkak edhe ndalesës së gjatë për shkak të pandemisë.
”Gjatë rikuperimit, sidomos në fillim, kam vuajtur shumë”, theksoi Asensio për El Transistor.
”Kisha shumë dhimbje, qëndroja në një karrike invalidore. Nuk mund të kisha një jetë normale.. pothuajse për gjithçka kishte dikush që duhej të më shoqëronte. Fleja për një orë, një orë e gjysëm, sepse nuk mund të ndaloja së menduari për gjurin tim. Ishte një eksperiencë që më ka forcuar në çdo drejtim.”
”Dëmtimi më ka ndryshuar; kam luftuar çdo ditë ndaj vetvetes, duke tentuar të përmirësohem; çdo ditë me një tjetër objektiv sepse përndryshe do të ishte një hap prapa në rikuperimin tim. Ka patur shumë ditë kur kam thënë, ‘Por si do të mundem të luaj futboll përsëri?’
Luis Enrique u tall me Asension duke thënë që ai me shumë mundësi është duke ndjekur Netflix përderisa kombëtarja e Spanjës është duke u stërvitur por 24 vjeçari është i vendosur për t’u rikthyer në kombëtare përsëri.
”Këto ditë janë pak të çuditshme sepse janë bërë një kohë e gjatë që nuk jam ftuar me kombëtaren, por unë do të vazhdoj të punoj për t’u rikthyer,” potencoi Asensio.
”Më pëlqeu mënyra se si luajti kombëtarja, ishin dy kundërshtar të ndryshëm por ekipi i Luis Enriques do të fitoje gjithmonë sepse shkon gjithmonë për fitoren.”
Asensio ka një marëdhënie të mirë me Zinedine Zidane të cilin e admiron për faktin që gjithmonë ka besuar tek ai.
”Kur erdha në Madrid në vitin 2016, e dija që do të duhet të kem një parasezon të mirë për të bindur Zidane,” theksoi Asensio. ”Ai më tha që do të startoja në Superkupën e Europës dhe që llogariste tek unë.”
”Zidane është shumë i sinqertë, të jep shumë qetësi sepse është një trajner i madh që ka sjellur shumë trofe në Madrid; çdo vit ai përmirësohet dhe bën më mirë. Kur isha fëmijë, e kisha posterin e golit të tij të shënuar në finale ndaj Leverkusen.”
Asensio dikur u përfol për mënyrën se nuk dëshironte të jetë lideri i Real Madridit, por ai lë të kuptohet që atëherë ishte keqkuptuar.
”Nuk kam thënë kurrë që nuk dua të mar lidershipin,” theksoi ai. ”Kushdo që din pak për futbollin i ka kuptuar fjalët e mia. Jam më shumë se i përgaditur për këtë sezon, kam shumë shpresa. Ka shumë kompeticione dhe ne duam të fitojmë gjithçka.”
Eden Hazard do të jetë njëri prej konkurentëve të Asensios për një vend në formacion, por Belgu poashtu ka vuajtur nga dëmtimet që kur ka ardhur në Madrid.
‘E shoh Hazardin shumë të ngazëllyer, më duket shumë mirë”, replikoi Asensio. ”Është e vështirë për të sepse ai nuk ishte i mësuar me dëmtimet dhe është një fat i keq ajo që i ndodhi. Sapo të ndjehet më mirë, jam i sigurtë që do të rigjeje vetëbesimin.”
Lionel Messi pothuajse u largua nga Barcelona këtë verë, por Asensio pranon që i pëlqen të sfidohet me lojtarët më të mirë në botë.
”Nuk më bënte nëse Messi qëndronte apo largohej. Do të ishte më mirë për Barcelonën të qëndronte. Mua më pëlqen të luaj ndaj më të mirëve.”