Tashmë sezoni ka mbaruar për Real Madridin, po ashtu edhe sezoni futbollistik në Europë në nivel klubesh, me përfundimin e finaleve të Europa League dhe Champions League. Tashmë vëmendja kalon tërësisht tek merkatoja. Kjo javë pritet të jetë shumë dinamike në zyrat e Valdebebas ku po punohet shumë për ndërtimin e një ‘Dream team’.
Real Madridi ka kohë që po punon për transferimin e Hazard, Jovic & Mendy, tre nënshkrime që janë të mbyllura dhe që klubi madrilen shpreson t’i zyrtarizojë shumë shpejt.
Synimi është që këto 3 futbollistë që momentalisht janë me kombëtaret përkatëse, të ikin me pushime duke e patur të qartë të ardhmen e tyre dhe me një datë në mendje: 8 korrikun, datë në të cilën fillon parasezoni i Real Madridit.
Transferimi i Hazard është ajo çfarë i mbush më shumë me shpresë tifozët në Bernabeu. Real Madridi dëshiron t’ja nisë me zyrtarizimet e transferimeve duke publikuar të parin transferimin e një galaktiku dhe si i tillë shihet pikërisht futbollisti belg. Negociatat mes Real Madridit dhe Chelsea akoma nuk janë mbyllur tërësisht, por janë në faza shumë të avancuara dhe brenda pak ditësh, Hazard do zytarizohet si lojtar i klubit mbretëror. Futbollisti belg madje ka pozuar me fanelën e Real Madridit në Spanjë gjatë pushimeve.
Tjetër transferim që është pothuajse i mbyllur është ai i Mendy. Pas takimit të Juni Calafat dhe Jose Angel Sanchez në Francë, marrëveshja është pothuajse e mbyllur, thjesht mungojnë detajet e fundit të kontratës para se të zyrtarizohet transferimi.
Mendy, momentalisht është i grumbulluar me kombëtaren e Francës dhe ka shumë mundësi që emri i tij të shfaqet tek lista e zyrtarizimeve gjatë kësaj jave. Prezantimi i tij, ashtu si dhe i Hazard, nuk do të bëhet pa mbaruar angazhimin me kombëtaret.
Transferimi i Luka Jovic, po ashtu është në fazat finale të tij. Marrëveshja me lojtarin serb ka qenë më e ndërlikuara nga ato që përmendëm më lart. Pavarësisht marrëdhënieve të mira mes klubeve, gjermanët kanë kërkuar 70 milionë euro dhe për një shifër mes 65 dhe 70 milionë euro, marrëveshja do të mbyllet shumë shpejt.
Interesimi i Barcelonës dhe Bayernit për lojtarin e ka vendosur Frankfurtin në pozita shumë të mira, por akordi mes Real Madridit dhe vetë lojtarit është total.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, këto lojtarë do të prezantohen direkt pas angazhimit me kombëtaret. I pari do jetë Hazard dhe më pas Mendy e Jovic.
Deri më tani, Real Madridi ka harxhuar 95 milionë euro në merkato, 50 milionë me transferimin e Eder Militao (qendërmbrojtës) nga Porto dhe 45 milionë euro për transferimin e Rodrygo Goes (sulmues) nga Santos.