Karim Benzema ka qenë i ftuar tek ‘Le Quotidien‘ (një program televiziv francez) ku i janë bërë pyetje të ndryshme lidhur me Real Madridin, Cristianon, fëmijët e tij, kombëtaren e Francës etj.
Zidane: “Lidhja ime me të është speciale, është shumë e fortë. Më emocionon kur flet për mua. E kam njohur që para se të bëhej trajner. Nuk e kam thjesht shok, është shumë më shumë se kaq, është si vëllai im më i madh, e konsideroj si të ishte pjesë e familjes time, por kjo nuk e ndalon atë të më kritikojë. Zizou më ka ndihmuar shumë.”
Karriera ime: “Jam krenar për karrierën time, nuk është aspak e keqe, apo jo? Jam në një ndër klubet më të mira në botë.”
Kujtimi më i mirë: Championsi i parë me Real Madridin…dhe më pas tre të tjerë radhazi, është diçka e paharrueshme dhe është e vështirë të përsëritet.”
A ishte ky viti më i mirë i karrierës: “Ndoshta po, jam ndjerë mirë, megjithëse ka qenë një sezon i komplikuar pasi nuk fituam asnjë trofe.”
Pa Cristianon: “Cristiano është një lojtar i madh që u largua. A jam unë tani shefi? Ndoshta po, por ajo që ka më shumë rëndësi është të punojmë si ekip.”
Finalja e botërorit: “E pashë në Lyon, në shtëpinë e prindërve të mi. E pashë me familjen. I dërgova mesazhe Varanes para ndeshjes. U gëzova jashtëzakonisht shumë që fituan. Sigurisht që do më kishte pëlqyer të isha aty.”
Benzema si prind: “Të jesh prind është diçka shumë e fortë, më prek në zemër. Jam shumë i kënaqur si baba, përpiqem që fëmijët të mos i vë në situata të pakëndshme. Do dëshiroja që kur të rriten të kërkojnë të punojnë, të dinë të respektojnë të tjerët, familjen dhe prindërit.”