Eleminimi nga Ajax në Champions League ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në Madrid ndërsa të parët që e kanë ndjerë këtë kanë qenë kapiteni Ramos dhe presidenti Perez.
Sapo përfundoi ndeshja, Florentino Perez ka zbritur në dhomat e zhveshjes dhe ka fajësuar lojtarët për atë që ndodhi në fushë, por Ramos – që nuk luajti në ndeshjen e dytë për shkak të pezullimit – iu kthye presidentit duke i thënë që ata veçse e kishin paralajmëruar gjatë verës që skuadra ka nevojë për një sulmues.
Kapiteni ia bëri të qartë që lojtarët nuk ishin të vetmit që duhen fajësuar për krizën që po kalon ekipi.
Por edhe Perez nuk ka bërë hapa prapa. Presidenti ka kërcënuar Ramos që do e largoje nga klubi teksa dyshja ka argumentuar në një debat të nxehtë ndërsa kapiteni ia ka kthyer në të njëjtën monedhë duke i thënë që pjesa tjetër financiare e mbetur në kontratë do të duhet të paguhet dhe ai do të largohej me kokën lartë.
Fillmisht ky debat u raportua nga AS ndërsa më pas u konfirmua edhe nga MARCA.
Përveç Ramos dhe Perez, në debat kanë qenë edhe pjesëtar të stafit teknik dhe mjeksor. Kjo përballje vjen në momentin më të keq të sezonit për Madrilenët teksa për vetëm një javë ekipi ka humbur të gjitha kompeticionet në të cilët luftonte.