Lopetegui ka një dilemë për El Clasicon që do të luhet nesër në ora 16:15 në Camp Nou. Tekniku duhet të vendosë nëse do të luaje me BBA (Bale, Benzema dhe Asensio) apo me katër mesfushor. Në fillim të sezonit, treshja sulmuese dukej e panegociueshme për trajnerin, por në ndeshjet e fundit skenari ka ndryshuar. BBA filloi të humbasë terren, nuk shënonte si në fillim dhe asistimet ishin ndalur. Diçka krejtësisht ndryshe nga seç kishte ndodhur në fillim të sezonit.
Julen duhet të ngushëllohet vetëm me ndeshjen më të mirë të luajtur të sezonit: atë ndaj Romës në Champions (3-0). Në atë ditë Asensio ishte në stol, Isco titullar dhe Bale e Benzema startuan në sulm. Nuk ishte dita e vetme ku katër mesfushorët funksionuan. Ndodhi poashtu edhe në derbin ndaj Atleticos. Bale kërkoi zëvendësim në pushimin e pjesëve dhe Lopetegui i besoi Ceballos në pjesën e dytë. Funksionoi. Real Madridi ishte shumë më mirë dhe dominoi plotësisht Atleticon gjatë gjithë ndeshjes. Nuk mundi të fitonte (0-0), por imazhi ishte shumë pozitiv.
Në rast se tekniku vendos për katër mesfushorët në fushë, i sakrifikuari do të jetë Asensio. Skema në këtë rast hap dyert për njërin nga dyshja: Isco dhe Ceballos. Isco, akoma nuk ka arritur formën më të mirë fizike teksa rikthehet nga operimi i apandesitit dhe një kohe të gjatë jashtë fushave. Julen Lopetegui mund të vendosë Ceballos në fushë, që nuk ishte i ftuar në ndeshjen e fundit në Champions, por mesfushori Spanjoll ka luajtur në ndeshjet më të rëndësishme të Real Madridit këtë sezon.
Mungesa e Messit për më tepër, bën që Valverde të vendosë në fushë më tepër mesfushor. Diçka e tillë mund të japë më shumë ekuilibër në fushë duke patur në mendje që të dyja skuadrat duan të mbajnë topin.
Përveç Benzemas, që shënoi në Champions, lojtarët tjerë nga treshja sulmuese po përjetojnë një thatësirë të gjatë. Goli i fundit i Asensios ishte me 22 Shtator, kundër Espanyol. Goli i fundit i Bale ishte me 19 Shtator, pikërisht në ndeshjen ndaj Romës. Prandaj Lopetegui duhet të vendosë: BBA apo katër mesfushorë.