Julen Lopetegui dëshironte të pushonte Casemiron që kishte kaluar shumë javë duke udhëtuar dhe pasi kishte luajtur 180 minuta me Brazilin, tekniku mendoi t’a zëvendësonte atë me Toni Kroos.
Gjermani ishte i saktë në mesfushë por ai tregoi edhe një herë tjetër që nuk është një mesfushor defenziv dhe ky rol nuk i përshtatet karakteristikave të tij.
Roli i tij natyral është dinamizmi dhe lëvizsshmëria në fushë, por jo edhe rikuperimi i posedimit të topit.
Lopetegui kishte dy alternativa më të përshtatshme: Fede Valverde, që nuk udhëtoi në Bilbao dhe lojtarin më natyral të kësaj pozite, Marcos Llorente, që nuk ia doli të jetë as në stol.
Kur Casemiro u fut në lojë, Real Madridi dukej më i ekuilibruar dhe Kroos u rikthye në rolin e tij të zakonshëm duke u dhënë kështu jetë bashkëlojtarëve, me Modric që shpërndante topin lirshëm përpara se të zëvendësohej.
Athletic Bilbao ishte e lumtur që fitonte betejën fizike në mesfushë dhe dukej sikur dominonte pjesën kyçe të fushës.
Me Unai Simon impresionues në portë, skuadra e Eduardo Berizzos e dinte saktësisht se si të mbrohej nga sulmet e Real Madridit kur lëshuan mesfushën.
Teksa loja nga krahët është zakonisht pika më e fortë e skuadrës, rivalët u tërhoqën shumë prapa dhe dyfishuan forcat nga krahët.
Ndeshja përfundoi me ndjenjën sikur Athletic Bilbao kishte arritur fitoren duke testuar disa herë Thibaut Courtois, ndërsa Gareth Bale u zëvendësua nga minuta e 70 pavarësisht se ishte më i rrezikshëm se Karim Benzema.
Mariano nga ana tjetër, i vetmi sulmues natyral në ekip, qëndroi në stol gjatë gjithë takimit ndonëse ekipi kishte nevojë për fitoren.