Me një ndeshje të rëndësishme në kampionat kundër Leganesit nesër, trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui, nuk ishte në gjendje të diskutonte mungesën e Cristiano Ronaldos në galan e djeshme.
Ai preferoi të analizonte situatën për skuadrën e tij dhe orët e fundit të merkatos verore.
“Nuk jam në gjendje për të folur për gala-n e djeshme, jemi të shqetësuar për ndeshjen e nesërme, fokusi ynë është te Leganes,” – tha ai fillimisht në konferencën e tij për shtyp.
“Po punojmë së bashku për një kohë të gjatë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë, si të gjitha skuadrat në këtë fazë të sezonit.”
Nëse Lopetegui do të startonte përsëri me Keylor Navas, apo Thibaut Courtois do të bënte debutimin e tij me klubin, u diskutua edhe në këtë konferencë.
“Besimi im në portierët e mi është në maksimum. Mund të luaj vetëm me një, por kjo nuk do të thotë se nuk kam besim tek të tjerët. Jemi të qetë dhe të bindur se kemi zgjidhje të mira në atë pozitë. Nuk do t’ju them se kush është në portë nesër,” – theksoi ai.
Leganes do të zbarkojnë pa asnjë frikë në Estadio Santiago Bernabeu, duke pasur parasysh se po në këtë stadium triumfuan sezonin e kaluar në Kupën e Mbretit.
“Do të jetë një lojë e vështirë. Ata janë të strukturuar mirë dhe me lojtarë më të mirë se sezonin e kaluar,” – shtoi Lopetegui.