Sulmuesi uruguajan është i hapur për një ofertë, pasi Real Madridi po shikon një zëvendësues që do t’i zëvendësonte golat e shënuar nga Cristiano Ronaldo, pasi ky i fundit u largua te Juventusi.
Edinson Cavani, i cili shënoi 40 gola në 48 ndeshje të luajtura sezonin e kaluar për PSG dhe 49 gola në 50 ndeshje një sezon më herët, shihet si kandidat potencial për të zëvendësuar Cristianon sa i përket golave të shënuar. Ky transferim nuk mund të jetë i pamundur për Real Madridin, pasi Uruguajani është i hapur për një lëvizje, gjithnjë sipas AS.
Një lëvizje në Bernabeu është një ëndërr e parealizuar për Cavanin dhe ai do të jetë i gatshëm të nënshkruajë një kontratë dy ose tre vjeçare për të përfunduar karrierën e tij në kryeqytetin spanjoll.
Transferimi i Neymar apo Mbappes nga PSG duket i pamundur. Ata kanë luajtur vetëm një sezon tashmë me Parisienët dhe janë në ‘zemër’ të planeve të tyre për të ardhmen. Cavani është një opsion ndryshe nga dy lojtarët e lartëpërmendur. Ky largim nga Parc des Princes mund të zgjidhte edhe një konflikt të gjatë mes Cavanit dhe Neymarit, kur filloi me Neymar që sapo kishte ardhur dhe i’a mori një penallti qendër-sulmuesit.
Cavani ka një kontratë në fuqi deri në vitin 2020 dhe ai sapo e rinovoi atë sezonin e kaluar. Si 31 vjeçar që është, PSG do të ishte e gatshme t’a linte të shkonte për një shumë prej më pak se 100 milionë euro dhe kjo do të lehtësonte gjithashtu problemet e Fair Play Financiar për klubin parisien.
Çështja dhe problemi i vetëm për Real Madridin është rreth pagës së Uruguajanit. Ai do të kërkonte 12 milionë euro neto në sezon, duke përfshirë edhe 2 milionë të tjera bonus.