Po. Bayern ishte shumë superior në gjysmëfinale. Luajti më mirë, kishte më tepër raste, pati më tepër goditje drejt portës, kontrolloi të dy takimet, vuajti mungesat e shumta të lojtarëve kyç të ekipit (Neuer, Coman, Boateng, Robben, Vidal), shfaqi madhështinë, nuk u dorëzua asnjëherë. Nuk është as një ekip veteranësh, as një ekip që i ka kaluar koha, e as diçka e ngjajshme. Bayern doli të jetë përsëri një ekip që nuk mposhtet lehtë. Të gjithë tifozët dhe drejtuesit Bavarez duhet të jenë krenarë për lojtarët e tyre, për trajnerin e tyre. Në fund, Bayerni i Pep, ndonëse tentojnë të na bindin ndryshe, ka bërë shumë herë më keq në përballjet ndaj Real Madridit.
Po, arbitri nuk vërshëlleu një penallti pas prekjes me dorë të Marcelos por kur e keni parë një penallti të tillë në Champions? Në cilin rast, në cilën ndeshje? Apo, mos duhet të fillojmë edhe ne të ‘qahemi’ për shtyerjen e Hummels ndaj Benzemas (që nuk mund të konsiderohet as afër penalltisë), apo për golin e pastër të anuluar të Iscos ndaj Juventus.
Po, këto janë gjysmëfinalet e Championsit, nuk janë të Copa Del Rey, janë krejtësisht ndryshe, janë një tjetër histori. Është e logjikshme të vuash sepse në këtë fazë përballesh me më të mirët, pavarësisht faktit që ke patur avantazhe të mira nga ndeshjet e para, njëjtë si sezonin e shkuar 3-0 ndaj Atleticos dhe këtë sezon 1-2 ndaj kampionit Gjerman. Dhe të vish në këtë pikë, do të thotë të rezistosh, të rezistosh dhe të triumfosh.
Po, ëndërra e Kiev është e bukur, por tashmë është koha për t’u zgjuar. Pa golat e Cristianos gjithçka është më e vështirë. Pa dhuratat e Rafinhas dhe Ulreich, arritja në finale do të ishte e pamundur. Pa sakrificën e Modric që ndihmoi gjatë gjithë kohës një anësorë të improvizuar dhe humbi gjenialitetin e tij në mesin e fushës, do të ishte e pamundur. Nëse vendosë të mos luash me Casemiron, këtë bëje një ditë kur nuk duhet të mbrohesh. Nëse e bën Keylorin një hero (dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë), duhet të fillosh dhe të mendosh se mund të kesh një problem në strukturën mbrojtëse.
Nëse pëson një gol në 5 minutat e para, gjithçka do të jetë më e komplikuar edhe pse lufton si askush tjetër. Nëse beson që fati është gjithmonë në anën tënde, ndonëse gjithmonë të kërkon punë, gabohesh. Nëse vazhdon të biesh në grackën e vetëkënaqësisë dhe të mendosh se gjithçka që ndodhi ishte mirë, nëse vazhdon të mbetesh me rezultatet fantastike, fillon të humbasësh finalet, edhe pse pas gjithë këtyre ndeshjeve të rrezikshme (PSG, Juventus dhe Bayern), më e thjeshta është të mbështetesh tek fati i Kiev.
Por as nuk duhet t’a mendosh shumë dhe të tentosh për të gjetur shpjegime për këtë shpirt të Real Madridit. Të gjitha teoritë të çojnë në vetëm një drejtim që nga vitet e 50-ta. Sepse me gjithë këtë që ka ndodhur, ekipi i Zidane përsëri ka mundur të arrije në finale dhe nuk ka asnjë dyshim që me 26 maj do e kërkoje të 13-tën dhe titullin e tretë rrazhazi në Champions League. Mos kërkoni pse-në. Thjesht, e bën sepse i tillë është, e bën sepse është Real Madridi.